Koha e lirë

Në kantonin Appenzell Ausserrhoden ka mundësi të shumta atraktive për ta kaluar kohën e lirë. Një domethënie të madhe kanë shoqatat. Këto ofrojnë mundësi për të njohur njerëz tjerë.

Shoqatat

Shumë banorë të kantonit Appenzell Ausserrhoden janë anëtarë të një shoqate (Verein). Ka shoqata për interesa nga më të ndryshmet. Shoqata sportive, kulturore dhe të tjera. Ka edhe në komuna më të vogla. Ato ofrojnë mundësi ideale për të hyrë në kontakt me njerëz të tjerë. Shumica e shoqatave janë të hapura për të gjithë. Informatat për shoqata mund të gjenden në faqen e internetit të komunës.

Ofertat për të rinjtë

Për të rinjtë në kantonin ka shumë oferta specifike për kalimin e kohës së lirë dhe njohje me bashkëmoshatarë tjerë. Në shumë komuna ka vendtakime dhe oferta të ndryshme për kohën e lirë. Ka përkujdesje për të rinjtë, ata mund t'i sjellin idetë e tyre dhe t'i zbatojnë projektet e tyre (Jugendarbeit). Ofertat zakonisht janë falas. Shoqatat rinore ofrojnë mundësi për të bërë aktivitete së bashku me bashkëmoshatarët e tyre dhe për t'u marrë me sport në natyrë. Bartës të ofertave janë shoqatat, komunat ose kishat e shtetit. Ofertat janë të hapura për të gjithë të rinjtë. Komuna ku banon jep informata të mëtejshme.

Ekskursionet dhe kultura

Appenzell Ausserrhoden ofron shumë mundësi ekskursionesh dhe një ofertë të pasur kulturore. Ka shumë shtigje të bukura për shëtitje dhe çiklizëm. Shumë muze ofrojnë ekspozita mbi tema të ndryshme. Turizmi nga toka e Appenzellit ofron informacione mbi mundësitë e ekskursioneve dhe ngjarjet. Informacione mbi ngjarjet kulturore aktuale mund të gjenden edhe në gazetat lokale.

Puna vullnetare

Puna vullnetare është një kontribut shoqëror për njerëzit dhe mjedisin, i cili nuk shpërblehet. Shumë detyra në Zvicër tradicionalisht kryhen nga vullnetarët. Një pjesë e madhe e kësaj pune bëhet në shoqata. Mund të angazhoheni në shoqata për kulturën, sportin, çështjet sociale, edukimin, mbrojtjen e kafshëve dhe mjedisit, shëndetin dhe fusha të tjera. Zyrat e specializuara si Benevol ofrojnë informacion mbi punën vullnetare dhe mundësitë e angazhimit.