Integrimi

Nga të huajat dhe të huajt pritet, që të integrohen në shoqëri. Kjo përfshinë respektimin e ligjit, kujdesin financiar për veten dhe mësimin e gjermanishtes.

Parimet kryesore më të rëndësishme

Të gjithë banorët e Zvicrës duhet ta respektojnë Kushtetutën Federale (p.sh. barazinë midis burrit dhe gruas) dhe të respektojnë ligjet në fuqi. Pos kësaj pritet përkujdesja financiare për veten, nëse ajo është e mundur. Gjithashtu, nga të huajt kërkohet që sa më shpejt ta mësojnë gjuhën që flitet në vendin ku ata banojnë. Integrimi mund të ketë sukses vetëm nëse të dyja palët japin kontribut. Për këtë arsye popullsia vendase pritet të jetë e hapur ndaj të huajve.

Vetpërgjegjësia

Federata, kantonet dhe komunat kujdesen që të huajt të kenë çasje të drejtë në jetën ekonomike, sociale dhe kulturore. Nga ana e tyre, të huajt duhet ta marrin përgjegjësinë për integrimin. Ata pritet të përfitojnë nga ofertat.

Pjesëmarrja në jetën shoqërore

Shoqatat ofrojnë një mundësi të mirë për integrim në shoqërinë zvicerane dhe për njohje të njerëzve tjerë. Por edhe festivalet dhe ngjarjet në bashkësinë ku banoni gjithashtu janë të mira për krijimin e kontakteve. Fillimi ndonjëherë mund të jetë paksa i vështirë, ngase jo të gjithë banorët e Zvicrës janë njëlloj të hapur ndaj kulturave të huaja. Ndonjëherë duhet pak këmbëngulje.

Njoftime / mbështetje

Në kantonin Appenzell Ausserrhoden, të ardhurve të rinj u ofrohen pika të ndryshme informimi. Një pikë e mirë fillestare është gjithmonë komuna e banimit. Ekzistojnë gjithashtu pika specifike informimi për migrantët. Informationsstelle Integration ofron informacione mbi jetën në Zvicër dhe përgjigjet pyetjeve konkrete mbi tema të ndryshme. Ata që nuk flasin ende gjermanisht mund të marrin me vete një përkthyes ose të kërkojnë një përkthyes profesionist.