Sistemi shëndetësor

Sistemi shëndetësor në Zvicër është shumë mirë i ndërtuar. Të gjithë banorët janë të siguruar në mënyrë të plotë dhe të detyrueshme kundër aksidenteve dhe sëmundjeve. Shumë ordinanca mjekësore, barnatore dhe spitale ofrojnë shërbime të sigurta kujdesi.

Sistemi i sigurimeve

Në Zvicër, të gjithë banorët duhet të jenë të siguruar kundër aksidenteve dhe sëmundjeve. Kushdo që iu bashkohet, duhet ta bëjë sigurimin brenda tre muajve prej hyrjes në vend. Fëmijët duhet të sigurohen brenda tre muajve prej lindjes. Shërbimet e sigurimeve të detyrueshme janë të rregulluara me ligj. Të gjithë të siguruarit kanë të drejtë për përkujdesje të njëjtë mjekësore.

Financimi

Sistemi shëndetësor zviceran financohet bashkarisht nga shteti (federata, kantonet, komunat), punëdhënësit dhe personat privatë. Personat privatë bëjnë një pagesë mujore për sigurimin shëndetësor dhe aksidental. Kjo shumë caktohet çdo vit dhe ndryshon sipas kantonit. Kush sëmuret ose aksidentohet, duhet të bëjë pagesa shtesë (franshiza dhe pjesa vetanake - Franchise und Selbstbehalt). Këtu ka një shumë maksimale vjetore.

Përjashtimi nga detyrimi për sigurim shëndetësor

Në Zvicër, çdo person që jeton ose punon, duhet të ketë një sigurim shëndetësor. Në raste të veçanta, mund të përjashtoheni – për shembull, nëse jeni të siguruar mirë jashtë vendit ose punoni vetëm për një kohë të shkurtër në Zvicër.

Në kantonin Appenzell Ausserrhoden, kërkesat shqyrtohen nga “Institucioni i Përbashkët KVG” në Olten. E rëndësishme: kërkesa duhet të dorëzohet brenda 3 muajve nga ardhja ose fillimi i punës.

Kohëzgjatja e përjashtimit varet nga rasti individual. Të gjitha informacionet dhe formulari online gjenden në: www.kvg.org